Proverbs 4:1-12

Albanian(i) 1 Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni, 2 sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim. 3 Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime, 4 ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh. 5 Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre; 6 mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë. 7 Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë. 8 Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson. 9 Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie". 10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. 11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. 12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.