Albanian(i)
43 Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.
44 Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: ''Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt''.
45 Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: ''Rabbi, Rabbi!''; dhe e puthi përzemërsisht!
46 Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.
47 Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
48 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: ''Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?
49 E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!''.
50 Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.
51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.
52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.
53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.
54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.
55 Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.
56 Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.
57 Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:
58 ''Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar"''.
59 Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: ''Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?''.
61 Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: ''A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?''.
62 Dhe Jezusi tha: ''Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit''.
63 Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: ''Ç'nevojë kemi më për dëshmitarë?
64 Ju e dëgjuat blasfeminë, ç'ju duket?''. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.
65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t'ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t'i thonë: ''Profetizo!''. Dhe rojat e godisnin.