Albanian(i)
22 Agripa i tha Festit: ''Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri''. Dhe ai u përgjigj: ''Do ta dëgjosh nesër''.
23 Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.
24 Atëherë Festi tha: ''O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m'u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.
25 Por unë, duke parë se s'ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.
26 Dhe duke qenë se s'kam asgjë konkrete që t'i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.
27 Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij''.
26 1 Atëherë Agripa i tha Palit: ''Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!''. Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:
2 ''O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,
3 veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.
5 Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.
6 Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,
7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.
8 Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t'i ringjallë të vdekurit?
9 Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.
10 Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.
11 Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.