Acts 16:40-17:5

Albanian(i) 40 Atëherë ata, si dolën nga burgu, hynë në shtëpinë e Lidias dhe, kur panë vëllezërit, i ngushëlluan; dhe ikën. 17 1 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve. 2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet, 3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: ''Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti''. 4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme. 5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t'i nxjerrë përpara popullit.