Mark 15:1-27

Albanian(i) 1 Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit. 2 Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''. 3 Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak. 4 Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''. 5 Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur. 6 Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin. 7 Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje. 8 Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. 9 Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e Judenjve?''. 10 Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira. 11 Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë. 12 Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?''. 13 Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''. 14 Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''. 15 Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej. 16 Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17 E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. 18 Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''. 19 Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. 20 Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar. 21 Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. 22 Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës". 23 I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. 24 Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit. 25 Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. 26 Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve". 27 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.