Luke 18:18-30

Albanian(i) 18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: ''Mësues i mirë, ç'duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?''. 19 Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë. 20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde"''. 21 Dhe ai tha: ''Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia''. 22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''. 23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur. 24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''. 26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: ''Po kush, pra, mund të shpëtohet?''. 27 Por ai tha: ''Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë''. 28 Pastaj Pjetri tha: ''Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''. 29 Dhe ai u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë, 30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme''.