Luke 12:15-31

Albanian(i) 15 Pastaj u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron''. 16 Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme; 17 dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: "Ç'të bëj, sepse nuk kam vend ku t'i shtie të korrat e mia?". 18 Dhe tha: "Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t'i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera, 19 dhe pastaj do t'i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo". 20 Por Perëndia i tha: "O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?". 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë''. 22 Pastaj u tha dishepujve të vet: ''Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23 Jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24 Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen; mirë, pra, ju vleni shumë më tepër se zogjtë. 25 Dhe cili nga ju me shqetësimin e tij mund ta zgjatë shtatin e vet qoftë edhe një kubit? 26 Atëherë, kur nuk jeni në gjendje të bëni as atë që është më e pakta, përse shqetësoheni për të tjerat? 27 Vini re si rriten zambakët: ata nuk punojnë dhe nuk tjerrin; megjithëatë unë po ju them se as Salomoni, në gjithë lavdinë e vet, nuk qe i veshur si një nga ata. 28 Atëherë, nëse Perëndia vesh në këtë mënyrë barin që sot është në fushë dhe nesër hidhet në furrë, aq më tepër do t' ju veshë, o njerëz besimpakë? 29 Përveç kësaj mos kërkoni çfarë do të hani ose do të pini, dhe mos jini në merak, 30 sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to. 31 Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë dhe të gjitha këto do t'ju jepen si shtesë.