John 10:11-21

Albanian(i) 11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. 12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. 13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet. 14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, 15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. 16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. 17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''. 19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve. 20 Dhe shumë nga ata thoshnin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''. 21 Të tjerë thoshnin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''.