Jeremiah 4:19-26

Albanian(i) 19 Zorrët e mia, zorrët e mia! Po shtrembërohem nga dhimbja. Oh, faqet e zemrës sime! Zemra më rreh fort përbrenda. Unë nuk mund të hesht, sepse, o shpirti im, kam dëgjuar zërin e borisë, britmën e luftës. 20 Po shpallet rrënim mbi rrënim, sepse tërë vendi është shkretuar. Papritmas çadrat e mia janë shkatërruar, shatorret e mia brenda një çasti. 21 Deri kur do të shoh flamurin dhe do të dëgjoj zërin e borisë? 22 "Po, populli im është budalla, nuk më njeh; janë bij pa mend dhe nuk kanë arsye; janë të zotë të bëjnë të keqen, por nuk dinë të bëjnë të mirën". 23 Shikova tokën, dhe ja, ajo ishte pa formë dhe boshe; qiejt ishin pa dritë. 24 Shikova malet, dhe ja, dridheshin, dhe tërë kodrat lëkundeshin. 25 Shikova, dhe ja, nuk kishte asnjë njeri dhe tërë zogjtë e qiellit kishin ikur. 26 Shikova, dhe ja, toka pjellore ishte një shkretëtirë, dhe të gjitha qytetet e saj ishin shembur përpara Zotit për shkak të zemërimit të tij të fortë.