Genesis 24:2-9

Albanian(i) 2 Dhe Abrahami i tha shërbyesit më të moshuar të shtëpisë së tij që qeveriste tërë pasuritë e tij: "Vëre dorën tënde nën kofshën time; 3 dhe unë do të bëj që ti të betohesh në emër të Zotit, Perëndisë së qiejve dhe Perëndisë të tokës, që ti nuk do t'i marrësh për grua djalit tim asnjë prej bijave të Kanaanejve në mes të të cilëve unë banoj; 4 por do të shkosh në vendin tim dhe te fisi im për të marrë një grua për djalin tim, për Isakun". 5 Shërbëtori iu përgjegj: "Ndofta ajo grua nuk dëshiron të më ndjekë në këtë vend; a duhet ta çoj atëherë përsëri birin tënd në vendin nga ke dalë?". 6 Atëherë Abrahami i tha: "Ruhu e mos e ço birin tim atje! 7 Zoti, Perëndia i qiellit, që më hoqi nga shtëpia e atit tim dhe nga vendi ku kam lindur, më foli dhe m'u betua duke thënë: "Unë do t'ua jap këtë vend pasardhësve të tu", ai do të dërgojë engjëllin e tij para teje dhe ti do të marrësh andej një grua për birin tim. 8 Dhe në qoftë se gruaja nuk dëshiron të të ndjekë, atëherë ti do të lirohesh nga ky betim që më ke bërë; vetëm mos e kthe tim bir atje". 9 Kështu shërbyesi e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotit të tij, dhe iu betua lidhur me këtë problem.