Mark 9:2-13

Albanian(i) 2 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre. 3 Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t'i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë. 4 Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin. 5 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!''. 6 Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur. 7 Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!''. 8 Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta. 9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri. 10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç'do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri. 11 Pastaj e pyetën duke thënë: ''Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?''. 12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet. 13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç'deshën, ashtu siç është shkruar për të''.