Judges 1:21-36

Albanian(i) 21 Bijtë e Beniaminit nuk arritën t'i dëbojnë Jebusejtë që banonin në Jeruzalem; kështu Jebusejtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme. 22 Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta. 23 Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë qyhej Luc). 24 Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty". 25 Ai u tregoi rrugën për të hyrë në qytet, dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, por e lanë të shkojë atë burrë me gjithë familjen e tij. 26 Ai shkoi në vendin e Hitejve dhe ndërtoi aty një qytet që e quajti Luc, emër që mban edhe sot e kësaj dite. 27 Manasi përkundrazi nuk i dëboi banorët e Beth-Sheanit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Tanaakut dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Dorit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Ibleamit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Megidos dhe të fshatrave të tij kufitarë, sepse Kananejtë ishin të vendosur të qëndronin në atë vend. 28 Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi Kananejtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt. 29 As Efraimi nuk i dëboi Kananejtë që banonin në Gezer; kështu Kananejtë banuan në Gezer në mes të tyre. 30 As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Kitronit dhe ata të Nahalolit; kështu Kananejtë banuan në mes të tyre, por iu nënshtruan skllavërisë. 31 As Asheri nuk i dëboi banorët e Akosit, as banorët të Sidonit, as ata të Ahlabit, të Akzibit, të Helbahut, të Afikut dhe të Rehobit; 32 kështu bijtë e Asherit u vendosën në mes të Kananejve që banonin në këtë vend, sepse nuk i dëbuan. 33 As Neftsali nuk i dëboi banorët e Beth-Shemeshit dhe ata të Beth-Anathit, dhe u vendos në mes të Kananejve që banonin në këtë vend; por banorët e Beth-Shemeshit dhe të Beth-Anathit iu nënshtruan skllavërisë. 34 Amorejtë i detyruan bijtë e Danit të qëndronin në krahinën malore dhe nuk i lanë të zbresin në luginë. 35 Amorejtë ishin të vendosur të qëndronin në malin Heres, në Ajalon dhe në Shaal-Bim; por kur dora e shtëpisë së Jozefit u fuqizua, ata iu nënshtruan skllavërisë. 36 Kufiri i Amorejve shtrihej nga e përpjeta e Akrabimit, nga Sela e lart.