Judges 11:1-12

Albanian(i) 1 Jefteu, Galaaditi, ishte një njeri i fortë dhe trim, bir i një prostitute dhe i Galaadit. 2 Bashkëshortja e Galaadit i lindi bij të tjerë; kur bijtë e gruas së tij arritën në moshën madhore, ata e dëbuan Jefteun dhe i thanë: "Ti nuk do të kesh trashëgimi në shtëpinë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër". 3 Atëherë Jefteu iku larg vëllezërve të tij dhe u vendos në vendin e Tobit. Rreth Jefteut u mblodhën njerëz pa asnjë vlerë, që kryenin sulme bashkë me të. 4 Pas një farë kohe bijtë e Amonit i shpallën luftë Izraelit. 5 Kur bijtë e Amonit filluan luftën kundër Izraelit, pleqtë e Galaadit shkuan ta kërkojnë Jefteun në vendin e Tobit; 6 dhe i thanë Jefteut: "Eja me ne dhe bëhu kapidani ynë, për të luftuar kundër bijve të Amonit". 7 Por Jefteu iu përgjegj pleqve të Galaadit duke thënë: "A nuk më keni urryer dhe dëbuar nga shtëpia e atit tim? Pse vini tani tek unë kur jini keq?". 8 Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Pikërisht për këtë jemi kthyer tani te ti, me qëllim që ti të vish me ne për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe të vihesh në krye të gjithë banorëve të Galaadit". 9 Atëherë Jefteu iu përgjegj pleqve të Galaadit: "Në qoftë se më ktheni tek ju për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe Zoti i lë në pushtetin tim, unë do të bëhem komandanti juaj". 10 Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Zoti le të jetë dëshmitar midis nesh, në rast se nuk veprojmë ashtu si ke thënë ti". 11 Pastaj Jefteu shkoi tek pleqtë e Galaadit dhe populli e zgjodhi komandant dhe udhëheqës të tij; dhe Jefteu përsëriti para Zotit në Mitspah tërë fjalët që pati thënë më parë. 12 Pastaj Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Çfarë ka midis teje dhe meje, që ti të vish e të bësh luftë në vendin tim?".