Albanian(i)
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje"''.
16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur.
19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: ''Kush je ti?''.
20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: ''Unë nuk jam Krishti''.
21 Atëherë ata e pyetën: ''Kush je, pra? A je Elia?''. Ai tha: ''Nuk jam!''. ''Je ti profeti?''. Dhe ai përgjigjej: ''Jo!''.
22 Atëherë ata i thanë: ''Kush je ti, që t'u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç'thua për veten tënde?''.
23 Ai u përgjigj: ''Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia''.
24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
25 ata e pyetën dhe i thanë: ''Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?''.
26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: ''Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t'ia zgjidh lidhësen e sandaleve''.
28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.
29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: ''Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës!
30 Ky është ai për të cilin unë thashë: "Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!".
31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t'i zbulohet Izraelit''.
32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ''E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.
33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: "Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë".
34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë''.
35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet.
36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: ''Ja Qengji i Perëndisë!''.