Jeremiah 25:17-29

Albanian(i) 17 Atëherë mora kupën nga dora e Zotit dhe bëra që ta pinë tërë kombet pranë të cilëve më kishte dërguar Zoti: 18 Jeruzalemi dhe qytetet e Judës, mbretërit dhe princat e tij, për t'i katandisur në një shkatërrim, në një objekt habie, talljeje dhe mallkimi, siç po ndodh sot; 19 Faraoni, mbreti i Egjiptit, shërbëtorët e tij, princat dhe tërë populli i tij; 20 tërë popullata e përzier, tërë mbretërit e vendit të Uzit, tërë mbretërit e filistejve (domethënë Ashkeloni, Gaza, Ekroni dhe ata që mbetën nga Ashdodi); 21 Edomi, Moabi dhe bijtë e Amonit; 22 tërë mbretërit e Tiros, tërë mbretërit e Sidonit dhe mbretërit e ishujve që ndodhen matanë detit; 23 Dedani, Tema, Buzi dhe tërë ata që presin cepat e mjekrës; 24 tërë mbretërit e Arabisë, tërë mbretërit e popullatës së përzier që banon në shkretëtirë; 25 tërë mbretërit e Zimrit, tërë mbretërit e Elamit, 26 tërë mbretërit e Medias dhe tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut. Dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre. 27 "Ti, pra, do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush. 28 Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini. 29 Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës", thotë Zoti i ushtrive.