Isaiah 24:3-12

Albanian(i) 3 Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë. 4 Toka është në zi dhe vuan, bota po ligështohet dhe po meket, njerëzit me poste nga populli i dheut ligështohen. 5 Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme. 6 Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar; prandaj banorët e tokës po digjen dhe të pakët janë burrat që kanë mbetur. 7 Mushti është në zi, vreshti po prishet dhe gjithë zemërgëzuarit psherëtijnë. 8 Gëzimi i dajreve ka marrë fund, zhurma e dëfrimtarëve ka mbaruar, gëzimi i harpës pushoi. 9 Nuk pihet më verë me këngë, pija dehëse është e hidhur për ata që e pijnë. 10 Qyteti i rrëmujës është shkatërruar; çdo shtëpi është e mbyllur që të mos hyjë njeri në të. 11 Nëpër rrugë ka ankime, sepse nuk ka verë; çdo gëzim është zhdukur, hareja është zhdukur nga toka. 12 Në qytet nuk mbetet gjë tjetër veç dëshpërimit, dhe porta është bërë copë-copë dhe është shkatërruar.