Albanian(i)
31 Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.
32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: "Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë".
33 Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.
34 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.
35 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.
30 1 Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes".
2 Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?".
3 Ajo u përgjegj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë".
4 Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo.
5 Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit.
6 Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan.
7 Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit.
8 Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali.
9 Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit
10 Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit.
11 dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad.
12 Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë.
13 Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher.
14 Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!".
15 Ajo iu përgjegj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty".
16 Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të.
17 Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë.
18 Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar.
19 Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë.
20 Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon.
21 Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina.