Exodus 37:1-9

Albanian(i) 1 Pastaj Betsaleeli bëri arkën prej druri të akacies, ajo ishte e gjatë dy kubitë e gjysmë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë. 2 E veshi me ar safi nga brenda dhe nga jashtë, dhe i bëri një kurorë që i vinte rrotull. 3 Shkriu për këtë qëllim katër unaza prej ari dhe i vuri në katër këmbët e saj: dy unaza nga njëra anë dhe dy unaza nga ana tjetër. 4 Bëri edhe disa shtiza me dru akacieje dhe i veshi me ar. 5 Pastaj i kaloi shtizat nëpër unazat, që ishin anëve të arkës dhe që shërbenin për ta mbartur atë. 6 Bëri edhe një pajtues prej ari safi, të gjatë dy kubitë e gjysmë dhe të gjerë një kubit e gjysmë. 7 Bëri edhe dy kerubinë prej ari; këto u punuan me çekiç në të dy skajet e pajtuesit: 8 një kerubin në njërin skaj dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët i bëri njësh me pajtuesin në të dy skajet e tij. 9 Kerubinët i kishin krahët e hapura lart, në mënyrë që të mbulonin pajtuesin me krahët e tyre; ishin kthyer njëri ndaj tjetrit, ndërsa fytyrat e kerubinëve ishin kthyer nga pajtuesi.