Albanian(i)
2 Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t'i mund këta Filistej?". Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun".
3 Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?".
4 Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: "Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t'i jap Filistejtë në duart e tua".
5 Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut.
6 Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin.
7 Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: "Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytet që ka porta dhe shule.".
8 Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.
9 Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin".
10 Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
11 Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjegj: "Ka për të zbritur".
12 Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjegj: "Do t'ju dorëzojnë".
13 Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.