Albanian(i)
4 Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa Levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falenderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;
5 Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jejeli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.
6 Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin trombës vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.
7 Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.
8 Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.
9 Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.
10 Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!
11 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!
12 Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,
13 ju, o stermpa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij!
14 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën.
15 Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza,
16 besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut,
17 që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
18 duke thënë: "Unë do t'ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj".
19 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend.
20 Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,
21 ai nuk lejoi që ndokush t'i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta,
22 duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
23 Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij!
24 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve!
25 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është me friksuësi nga tërë perënditë.
26 Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.
27 Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.
28 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
29 Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;
30 dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.
31 Le të gëzohen qiejtë dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".
32 Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;
33 atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.
34 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
35 Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".
36 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.