Albanian(i)
1 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2 Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
3 Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.
4 Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.
5 Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6 Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
7 U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.
8 Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.
9 Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.
10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.
11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.
12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.