Numbers 4:15-49

Albanian(i) 15 Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kehathit do të vijnë për t'i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë. 16 Eleazari, bir i priftit Aaron, do të ngarkohet me vajin e shandanit, me temjanin aromatik, me ofertën e përjetshme të ushqimit dhe të vajit të vajosjes; ai do të ngarkohet edhe me tërë tabernakullin dhe tërë gjërat që përmban ai, me shenjtëroren dhe pajisjet e saj". 17 Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë: 18 "Kini kujdes që klani i familjeve të Kehathitëve të mos shfaroset në mes të Levitëve; 19 bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t'i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij. 20 Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin". 21 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 22 "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre. 23 Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes. 24 Kjo është detyra e familjeve të Gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin: 25 do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes, 26 perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç'të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë. 27 Tërë shërbimi i bijve të Gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t'u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin. 28 Ky është shërbimi i familjeve të Gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t'i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron. 29 Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre; 30 do të bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbime. 31 Kjo është ajo që i është besuar përgjegjësisë së tyre në pajtim me gjithë shërbimin e tyre në çadrën e mbledhjes; dërrasat e tabernakullit, traversat, shtyllat dhe bazat e tij, 32 shtyllat që ndodhen rreth e rrotull oborrit, bazat e tyre, kunjat e tyre, litarët e tyre, me të gjitha veglat e tyre dhe tërë shërbimet që këto gjëra përmbajnë; dhe do t'i caktoni secilit personalisht objektet që duhet të mbajë. 33 Ky është shërbimi i familjeve të bijve të Merarit, në pajtim me detyrat e tyre në çadrën e mbledhjes, nën urdhërat e Ithamarit, birit të priftit Aaron". 34 Moisiu, Aaroni dhe prijësit e asamblesë kryen, pra, regjistrimin e bijve të Kehathitëve në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, 35 e të gjithë atyre që nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri pesëdhjetë vjeç hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes. 36 Ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë. 37 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni bënë regjistrimin e tyre simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut. 38 Ata që u regjistruan nga bijtë e Gershonit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, 39 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; 40 ata që u regjistruan në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ishin dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë. 41 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Gershonit, të gjithë ata që bënin shërbim në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni kryen regjistrimin e tyre simbas urdhrit të Zotit. 42 Ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, 43 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes; 44 ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin tre mijë e dyqind. 45 Këta janë ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit; ata që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni, simbas urdhërit të Zotit të dhënë me anë të Moisiut. 46 Të gjithë ata që u regjistruan nga Levitët, që Moisiu, Aaroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, 47 nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer dhe për të mbajtur pesha në çadrën e mbledhjes; 48 ata që u regjistruan ishin tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë. 49 Ata u regjistruan, simbas urdhrit të Zotit për Moisiun, secili në bazë të shërbimit që duhet të bënte dhe të asaj që duhet të mbante. Kështu ata u regjistruan nga ai, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.