Numbers 3:1-10

Albanian(i) 1 Këta janë pasardhësit e Aaronit dhe të Moisiut në kohën kur Zoti i foli Moisiut në malin Sinai. 2 Këta janë emrat e bijve të Aaronit: Nadabi, i parëlinduri, Abihu, Eleazari dhe Ithamari. 3 Këta janë emrat e bijve të Aaronit, të vajosur si priftërinj, që ai i shenjtëroi për të shërbyer si priftërinj. 4 Nadabi dhe Abihu vdiqën para Zotit, kur ofruan një zjarr të palejueshëm para Zotit në shkretëtirën e Sinait; ata nuk patën bij. Kështu Eleazari dhe Ithamari shërbyen si priftërinj në prani të Aaronit, atit të tyre. 5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: 6 "Afro fisin e Levitëve dhe paraqite para priftit Aaron, që të vihet në shërbim të tij. 7 Ata do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e tij dhe do të kryejnë të gjitha detyrat që lidhen me tërë asamblenë para çadrës së mbledhjes, duke kryer shërbimin e tabernakullit. 8 Do të kujdesen për të gjitha orenditë e çadrës së mbledhjes dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet e bijve të Izraelit, duke kryer shërbimin e tabernakullit. 9 Levitët do t'ua japësh Aaronit dhe bijve të tij; ata duhet t'u jepen plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit. 10 Ti do të vendosësh Aaronin dhe bijtë e tij në mënyrë që ata të kryejnë funksionet e priftërisë së tyre; por çdo i huaj tjetër që afrohet do të dënohet me vdekje".