Numbers 18:1-7

Albanian(i) 1 Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj. 2 Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë. 3 Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t'u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata. 4 Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t'ju afrohet juve. 5 Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit. 6 Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, Levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes. 7 Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet".