Mark 2:23-3:6

Albanian(i) 23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj. 24 Dhe farisenjtë i thanë: ''Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?''. 25 Por ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë ç'bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç'qenë me të?''. 26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?''. 27 Pastaj u tha atyre: ''E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. 28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''. 3 1 Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë. 2 Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin. 3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ''Çohu në mes të të gjithëve!''. 4 Dhe u tha atyre: ''A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?''. Por ata heshtnin. 5 Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra. 6 Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.