Albanian(i)
67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:
68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t'i shërbejmë pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
77 për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes''.
80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t'i zbulohej Izraelit.