Luke 19:29-40

Albanian(i) 29 Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet, 30 duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni. 31 Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"''. 32 Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë. 33 Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ''Përse po e zgjidhni kërriçin?''. 34 Dhe ata thanë: ''Zoti ka nevojë''. 35 Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të. 36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë. 37 Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë, 38 duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''. 39 Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''. 40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.