Leviticus 22:1-16

Albanian(i) 1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: 2 "Folu Aaronit dhe bijve të tij që të heqin dorë nga gjërat e shenjta që më janë shenjtëruar nga bijtë e Izraelit dhe të mos përdhosin emrim tim të shenjtë. Unë jam Zoti. 3 U thuaj atyre: "Cilido burrë i fisit tuaj që në brezat e ardhshme do t'u afrohet në gjendje papastërtie gjërave të shenjta, që bijtë e Izraelit ia kanë shenjtëruar Zotit, do të shfaroset nga prania ime. Unë jam Zoti. 4 Asnjë burrë nga fisi i Aaronit, i sëmurë nga lebra ose me fluks qoftë, nuk do të hajë gjëra të shenjta deri sa të bëhet i pastër. Gjithashtu ai që prek çfarëdo gjë që është bërë e papastër nga kontakti me një kufomë, apo ai që ka pasur një lëshim fare, 5 ose ai që ka prekur një zvarranik që e ka bërë të papastër, ose një njeri që i ka komunikuar një papastërti të çfarëdo lloji, 6 personi që ka prekur këto gjëra do të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe nuk ka për të ngrënë gjëra të shenjta para se të ketë larë trupin e tij me ujë; 7 mbas perëndimit të diellit do të jetë i pastër dhe do të mund të hajë gjëra të shenjta, sepse janë ushqimi i tij. 8 Prifti nuk do të hajë mish kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme apo të shqyer, për të mos u bërë i papastër. Unë jam Zoti. 9 Priftërinjtë do të respektojnë, pra, atë që kam urdhëruar, përndryshe do të mbajnë dënimin e mëkatit të tyre dhe do të vdesin sepse kanë përdhosur gjërat e shenjta. Unë jam Zoti që i shenjtëroj. 10 Asnjë i huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta; as një mik i priftit, as një rrogtar nuk do të mund të hajë gjërat e shenjta. 11 Por në rast se prifti ble një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij. 12 Bija e priftit që është martuar me një të huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta të ofruara për ngritje. 13 Por në qoftë se bija e priftit ka mbetur e ve, apo është ndarë nga burri dhe nuk ka fëmijë, dhe është kthyer të rrijë me të atin ashtu si kur ishte e re, do të mund të hajë nga buka e atit të saj; po asnjë i huaj nuk do ta hajë atë. 14 Në qoftë se dikush ha gabimisht një gjë të shenjtë, do t'i japë priftit gjënë e shenjtë, duke i shtuar një të pestën. 15 Priftërinjtë nuk do të përdhosin, pra, gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që ata i ofrojnë Zotit për ngritje, 16 dhe nuk do të bëjnë që ata të mbajnë dënimin e mëkatit për të cilin do të bëheshin fajtorë, duke ngrënë gjërat e tyre të shenjta; sepse unë, Zoti, i shenjtëroj"".