Albanian(i)
12 Dhe Zebahu dhe Tsalmunai ikën me vrap; por ai i ndoqi dhe i zuri të dy mbretërit e Madianit, Zebahun dhe Tsalmunain, dhe e shpartalloi tërë ushtrinë.
13 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, u kthye në fushën e betejës nëpër të përpjetën e Heresit.
14 Kapi një të ri nga njerëzit e Sukothit dhe e mori në pyetje, dhe ky i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukothit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra.
15 Pastaj shkoi te njerëzit e Sukothit dhe tha: "Ja, Zebahu dhe Tsalmunai, në lidhje me të cilët jeni tallur me mua, duke thënë: "Mos vallë Zebahu dhe Tsalmunai janë në dorën tënde, që ne të duhet t'u japim bukë njerëzve të tu të lodhur?"".
16 Mori pastaj pleqtë e qytetit dhe me gjembat dhe ferrat e shkretëtirës u dha një mësim burrave të Sukothit.
17 Rrëzoi gjithashtu kalanë e Penuelit dhe vrau njerëzit e qytetit.
18 Pastaj u tha Zebahut dhe Tsalmunait: "Si ishin njerëzit që keni vrarë në Tabor?". Ata u përgjigjën: "Ishin si ti; secili prej tyre kishte pamjen e birit të një mbreti".
19 Ai vazhdoi: "Ishin vëllezërit e mi, bij të nënes sime; ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, po të mos i kishit vrarë, unë nuk do t'ju vrisja!".
20 Pastaj i tha Jetherit, birit të tij të parë: "Çohu dhe vriti!". Por i riu nuk e nxori shpatën, sepse kishte frikë, ishte ende i ri.
21 Atëherë Zebahu dhe Tsalmunai thanë: "Çohu ti vetë dhe na godit, sepse si të jetë burri ashtu është edhe forca e tij". Kështu Gedeoni u ngrit dhe vrau Zebahun dhe Tsalmunain, dhe shtiu në dorë gjysmëhënat që devetë e tyre mbanin në qafë.