John 6:5-15

Albanian(i) 5 Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ''Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?''. 6 Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte. 7 Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''. 8 Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: 9 ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''. 10 Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. 11 Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falenderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën. 12 Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''. 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë. 14 Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë''. 15 Por Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm.