Albanian(i)
1 Kundër Moabit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Mjerë Nebi, sepse u shkatërrua; Kiriathaimi është mbuluar nga turpi, është pushtuar; kështjella është mbuluar nga turpi dhe është e tronditur.
2 Lavdia e Moabit nuk është më; në Heshbon kurdisin të keqen kundër tij, duke thënë: "Ejani dhe ta shkatërrojmë, në mënyrë që të mos jetë më një komb". Edhe ti, o Madmen, do të shkatërrohesh, shpata do të të ndjekë.
3 Një zë që kërkon ndihmë do të dalë nga Horonaimi: shkatërrim dhe rrënim i thellë!
4 Maobi është copëtuar, të vegjlit e tij bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre.
5 Mbi të përpjetën e Luhithit po ngjiten duke qarë në hidhërim, ndërsa në tatëpjetën e Horonaimit dëgjohet zëri plot ankth i disfatës.
6 Ikni, shpëtoni jetën tuaj dhe bëhuni si një marinë në shkretëtirë!
7 Duke qënë se ke pasë besim në veprat e tua dhe në thesaret e tua, edhe ti do të kapesh; dhe Kemoshi do të shkojë në robëri bashkë me priftërinjtë dhe princat e tij.
8 Shkatërruesi do të vijë kundër të gjitha qyteteve, dhe asnjë qytet nuk do të shpëtojë; lugina do të zhduket dhe fusha do të shkatërrohet, ashtu si ka thënë Zoti.
9 I jepni krahë Moabit, që të mund të fluturojë tutje; qytetet e tij do të bëhen të shkreta dhe askush nuk do të banojë në to.
10 I mallkuar qoftë ai që kryen veprën e Zotit shkel e shko, i mallkuar qoftë ai që e pengon shpatën e tij të derdhë gjak!
11 Moabi ka qënë i qetë qysh në moshë të re, duke pushuar mbi llumin e tij, dhe nuk ka kaluar nga një enë në enën tjetër dhe as që ka shkuar në robëri; prandaj i ka mbetur shija e tij dhe parfumi i tij nuk ka pësuar ndryshime.
12 Prandaj ja, do vijnë ditët", thotë Zoti, "në të cilat do t'i dërgoj disa njerëz që do t'i toçitin enët; do t'i zbrazin enët e tij dhe do t'i thyejnë anforat e tij.
13 Atëherë Moabit do t'i vijë turp nga Kemoshi, ashtu si shtëpia e Izraelit u turpërua nga Betheli, tek i cili kishte pasur besim.
14 Si mund të thoni: "Ne jemi burra të fortë dhe trima për betejën"?
15 Moabi është shkatërruar; qytetet e tij po nxjerrin tym dhe të rinjtë e tyre më të mirë zbresin në kasaphanë", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
16 Gjëma e Moabit është tashmë e afërt dhe kobi po i vjen me hapa të shpejtë.
17 Mbani zi për të, të gjithë ju që e rrethoni dhe të gjithë ju, që njihni emrin e tij, thoni: "Si u thye ai skeptër i fortë, ai bastun i mrekullushëm?".
18 O bijë që banon në Dibon, zbrit nga lavdia jote dhe ulu në tokën e zhuritur, sepse shkatërruesi i Moabit ka dalë kundër teje, ka shkatërruar kështjellat e tua.
19 O ti që banon në Aroer, ndalu gjatë rrugës dhe shiko; merr në pyetje ikanakun dhe atë që po ikën dhe pyet: "Çfarë ka ndodhur?".
20 Moabi është mbuluar me turp, sepse është i thyer; rënkoni dhe bërtisni, njoftoni mbi Arnonin që Moabi është shkatërruar!
21 Një ndëshkim erdhi mbi krahinën e fushës, mbi Holon, mbi Jahatsin dhe mbi Mefaathin,
22 mbi Dibonin, Nebon dhe mbi Beth-Diblathaimin,
23 mbi Kiriathaimin, Beth-Gamulin dhe Beth-Meon,
24 mbi Keriothin, Botsrahun dhe mbi tërë qytetet e vendit të Moabit, të largëta dhe të afërta.
25 Briri i Moabit është prerë dhe krahu i tij është copëtuar", thotë Zoti.
26 "Deheni, sepse është ngritur kundër Zotit. Moabi do të vërtitet në të vjellat e tij dhe do të bëhet edhe ai objekt talljeje.
27 Izraeli vallë nuk ka qënë për ty një objekt talljeje? Mos u gjet vallë midis hajdutëve, sepse sa herë që ti flet për të ti po tund kokën?
28 Braktisni qytetet dhe shkoni të banoni në shkëmb, o banorë të Moabit, dhe bëhuni si pëllumbesha që bën folenë e saj në faqet e një gremine.
29 Kemi dëgjuar krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, fodullëkun e tij, kryeneçësinë e tij, arrogancën e tij dhe mendjemadhësinë e zemrës së tij.
30 Unë e njoh tërbimin e tij", thotë Zoti, "që nuk ka përmbajtje, të mburrurit e tij që nuk ka përfunduar në asgjë.
31 Prandaj unë po ngre një vajtim mbi Moabin dhe do të lëshoj britma nëpër të gjithë Moabin; do të vajtohet për burrat e Kir-Heresit.
32 O vreshtë e Sibmahut, unë qaj për ty ashtu si qahet për Jazerin; shermendet e tua kanë arritur matanë detit, arrinin deri në detin e Jazerit. Shkatërruesi i tij është sulur mbi frytet e tua verore dhe mbi rrushin që do vilej.
33 Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore dhe nga vendi i Moabit; bëra që të zhduket vera nga butet, askush nuk e shtrydh më rrushin me britma gëzimi, britmat e tyre nuk janë më britma gëzimi.
34 Për shkak të britmës së Heshbonit zëri i tyre u dëgjua deri në Elealeh dhe në Jehats, nga Tsoari deri në Horonaim, ashtu si një lopë trevjeçare; ujrat e Nimrimit madje janë bërë një shkreti.
35 Unë do të fik në Moab", thotë Zoti, "atë që ofron flijime mbi vendet e larta dhe atë që u djeg temjan perëndive të tij.
36 Prandaj zemra ime për Moabin do të qajë si fyejt, zemra ime do të qajë si fyejt për burrat e Kir-Heresit, sepse pasuria që kanë fituar ka humbur.
37 Sepse çdo kokë do të rruhet, çdo mjekër do të pritet, mbi të gjitha duart do të ketë të prera dhe mbi ijët do të jetë thesi.
38 Mbi të gjitha çatitë e Moabit dhe në sheshet e tij s'ka veçse vajtim, sepse unë e kam bërë copë-copë Moabin, si një enë që nuk ka më vlerë", thotë Zoti.
39 "Do të vajtojnë duke thënë: "Si u thye! Si ka kthyer Moabi paturpësisht kurrizin! Si është bërë Moabi tallja dhe frika e atyre që i rinë rrotull"".
40 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ai do të nisë fluturimin si një shqiponjë dhe do t'i hapë krahët e tij në drejtim të Moabit.
41 Keriothi u pushtua, fortesat janë zënë dhe zemra e trimave të Moabit në atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.
42 Moabi do të shkatërrohet, nuk do të jetë më popull, sepse është ngritur kundër Zotit.
43 Frika, gropa, laku të kërcënojnë, o banor i Moabit" thotë Zoti.
44 "Kush ikën përpara frikës do të bjerë në gropë dhe kush del nga gropa do të kapet në lak, sepse unë do të sjell mbi të, mbi Moabin vitin e ndëshkimit të tij" thotë Zoti.
45 "Në hijen e Heshbonit ndalen, të kapitur, ikanakët, por një zjarr del nga Heshboni dhe një flakë nga mesi i Sihonit, që përpin anët e Moabit dhe pjesën e sipërme të kokës së njerëzve kryengritës.
46 Mjerë ti, O Moab! Populli i Kemoshit është i humbur sepse bijtë e tu janë çuar në robëri dhe bijat e tua në mërgim.
47 Por unë do të kthej Moabin nga robëria gjatë ditëve të fundit, thotë Zoti". Deri këtu gjykim mbi Moabin.