Albanian(i)
6 Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah, dhe banoi aty në mes të popullit që kishte mbetur në vend.
7 Kur tërë krerët e forcave që ishin në krahinë mësuan nga njerëzit e tyre që mbreti i Babilonisë e kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit, si qeveritar të vendit dhe i kishte besuar atij burrat,
8 shkuan te Gedaliahu në Mitspah: Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani dhe Jonathani, bijtë e Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit, bijtë e Efait nga Netofa dhe Jezaniahu, bir i Maakathitit së bashku me njerëzit e tyre.
9 Gedaliahu, bir i Ahikamit, bir i Shafanit, iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë t'u shërbeni Kaldeasve, qëndroni në vend dhe i shërbeni mbretit të Babilonisë, dhe çdo gjë do t'ju shkojë mbarë.
10 Sa për mua, ja, unë do të qëndroj në Mitspah për të qënë në dispozicion të Kaldeasve, që do të vijnë te ne; por ju grumbulloni verën, frutat verore dhe vajin, vendosini në enët tuaja dhe qëndroni në qytetet tuaja që keni zënë".
11 Edhe tërë Judejtë që ishin në Moab, midis Amonitëve, në Edom dhe në të gjitha vendet, kur mësuan që mbreti i Babilonisë kishte lënë një pjesë të popullsisë në Judë dhe që kishte vendosur mbi ta Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit,
12 po, tërë Judejtë u kthyen nga të gjitha vendet ku ishin shpërndarë dhe erdhën në vendin e Judës te Gedaliahu në Mitspah dhe mblodhën verë dhe fruta verore me bollëk të madh.