Jeremiah 36:2-10

Albanian(i) 2 "Merr një rrotull shkrimi dhe shkruaj mbi të tërë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër të gjitha kombeve, nga dita që të kam folur, nga ditët e Josias e deri më sot. 3 Ndofta shtëpia e Judës do të dëgjojë gjithë të keqen që unë mendoj t'u bëj atyre, dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre". 4 Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë. 5 Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: "Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit. 6 Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t'i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre. 7 Ndofta do t'i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli". 8 Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit. 9 Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem. 10 Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.