Jeremiah 19:1-7

Albanian(i) 1 Kështu ka thënë Zoti: "Shko e bli një poç balte për ujë; pastaj merr disa pleq nga populli dhe disa pleq nga priftërinjtë 2 dhe dil në drejtim të luginës së birit të Hinomit që ndodhet në hyrje të Portës së poçerisë dhe aty shpall fjalët që do të të them. 3 Do të thuash kështu: Dëgjoni fjalën e Zotit, o mbret i Judës dhe banorë të Jeruzalemit. Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të sjell mbi këtë vend një fatkeqësi të tillë që do të bëjë të shungullojnë veshët e cilitdo që do ta dëgjojë, 4 sepse më kanë braktisur, kanë përdhosur këtë vend dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera, që nuk i njihnin as ata vetë, as etërit e tyre, as mbretërit e Judës, dhe e kanë mbushur këtë vend me gjakun e të pafajmëve; 5 i kanë ndërtuar vendet e larta Baalit për të djegur bijtë e tyre në zjarr si olokaust Baalit, gjë që nuk kisha urdhëruar dhe për të cilën nuk kisha folur kurrë dhe nuk më kishte shkuar ndër mend. 6 Prandaj ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "kur ky vend nuk do të quhet më "Tofet", as "Lugina e birit të Hinomit", por "Lugina e masakrës". 7 Unë do t'i bëj të kota qëllimet e Judës dhe të Jeruzalemit në këtë vend dhe do të bëj që të rrëzohen nga shpata përpara armiqve të tyre, dhe nga dora e atyre që kërkojnë jetën e tyre, dhe do t'ua jap kufomat e tyre si ushqim shpendëve të qiellit dhe kafshëve të tokës.