Albanian(i)
2 "Foli tani Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, dhe pjesës tjetër të popullit, duke thënë:
3 "Cili prej jush ka mbetur nga ata që e kanë parë këtë tempull në lavdinë e tij të mëparshme? Dhe si po e shikoni tani? Në krahasim me atë, a nuk është kjo asgjë para syve tuaj?
4 Dhe tani ji i fortë, Zorobabel", thotë Zoti, "ji i fortë, Jozue, bir i Jehotsadakut, kryeprift; ji i fortë, o mbarë popull i vendit", thotë Zoti, "dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju", thotë Zoti i ushtrive,
5 "sipas fjalës së besëlidhjes që lidha me ju kur dolët nga Egjipti, kështu Fryma ime qëndron midis jush. Mos kini frikë".
6 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Edhe një herë, pas pak, unë do t'i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë;
7 do t'i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira e gjithë kombeve do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi", thotë Zoti i ushtrive.
8 "Argjendi është imi, ari është imi", thotë Zoti i ushtrive.
9 "Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit", thotë Zoti i ushtrive; "dhe në këtë vend unë do të sjell paqen"", thotë Zoti i ushtrive.
10 Në ditën e njezet e katërt të muajit të nëntë, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:
11 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Pyeti priftërinjtë për ligjin, duke thënë:
12 "Në qoftë se dikush mban në cepin e rrobës së tij mish të shenjtëruar dhe me cepin prek bukë ose ushqim të gatuar, verë ose vaj, ose çfarëdo ushqim tjetër, a do të bëhet i shenjtëruar ky?"". Priftërinjtë u përgjigjen dhe thanë: "Jo!".
13 Atëherë Hagai u tha atyre: "Në qoftë se dikush, që është i papastër për shkak të kontaktit me një kufomë, prek ndonjë nga këto gjëra, a do të bëhet kjo e papastër?". Priftërinjë u përgjigjën dhe thanë: "Po, ajo do të bëhet e papastër".
14 Atëherë Hagai u përgjigj dhe tha: "Kështu është ky popull, kështu është ky komb përpara meje", thotë Zoti, "dhe kështu është çdo punë e duarve të tyre, dhe ajo që më ofrojnë atje është e papastër.
15 Tani mendohuni mirë që sot e tutje, para se të vendoset guri mbi gur në tempullin e Zotit.