Genesis 25:1-18

Albanian(i) 1 Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah. 2 Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin. 3 Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi. 4 Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut. 5 Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte; 6 por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes. 7 Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet. 8 Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij. 9 Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres, 10 arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara. 11 Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit. 12 Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit. 13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami, 14 Mishma, Dumahu, Masa, 15 Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu. 16 Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës. 17 Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij. 18 (Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij.