Exodus 28:6-30

Albanian(i) 6 Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht. 7 Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë. 8 Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur. 9 Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit: 10 gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes. 11 Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t'i futësh në rrathë ari. 12 Do t'i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t'i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij. 13 Do të bësh gjithashtu rrathë ari 14 dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë. 15 Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur. 16 Do të jetë katror dhe i palosur më dysh; do të jetë një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë. 17 Dhe do të ngallmosh katër radhë gurësh: në radhën e parë një sardonio, një topaz dhe një smerald; 18 në radhën e dytë: një bruz, një safir dhe një diamant; 19 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist; 20 në radhën e katërt: një grisolist, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë. 21 Dhe gurët do t'u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit. 22 Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë. 23 Pastaj do të bësh mbi pektoral dyj unaza prej ari, dhe do t'i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit. 24 Pastaj do t'i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit; 25 dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t'i lidhësh me të dy rrathët dhe do t'i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara. 26 Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t'i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit. 27 Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t'i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit. 28 Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit. 29 Kështu Aaroni do t'i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit. 30 Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.