Exodus 14:13-28

Albanian(i) 13 Por Moisiu i tha popullit: "Mos kini frikë, qëndroni dhe çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju; sepse Egjiptasit që shihni sot, nuk do t'i shihni më kurrë. 14 Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë". 15 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Pse më bërtet mua? U thuaj bijve të Izraelit të shkojnë përpara. 16 Dhe ti ço lart bastunin tënd, shtrije dorën mbi det dhe ndaje atë, në mënyrë që bijtë e Izraelit të mund të kalojnë në mes të detit në të thatë. 17 Sa për mua, unë do ta ngurtësoj zemrën e Egjiptasve, dhe këta do t'i ndjekin ata. Kështu unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga tërë ushtria e tij, nga qerret dhe kalorësit e tij. 18 Dhe Egjiptasit do të dinë që unë jam Zoti, kur unë do të fitoj lavdi nga Faraoni, nga qerret e tij dhe nga kalorësit e tij". 19 Atëherë Engjëlli i Perëndisë, që ecte përpara kampit të Izraelit, u zhvendos dhe shkoi e u vu prapa tyre; edhe kolona e reve lëvizi nga përpara dhe shkoi e u vu prapa tyre. 20 Dhe kështu vajti e u vendos midis fushimit të Egjiptit dhe fushimit të Izraelit; dhe reja prodhonte errësirë për njërën palë, ndërsa u jepte dritë të tjerëve natën. Kështu tërë natën kurrkush nuk iu afrua tjetrit. 21 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; dhe Zoti bëri që të tërhiqet deti nga një erë e fortë nga lindja që fryu tërë atë natë dhe e shndërroi detin në tokë të thatë; dhe ujërat u ndanë. 22 Kështu bijtë e Izraelit hynë në mes të detit në të thatë; dhe ujërat formonin si një mur në të djathtë dhe të majtë të tyre. 23 Dhe Egjiptasit i ndoqën; dhe tërë kuajt e Faraonit, qerret e tij dhe kalorësit e tij hynë pas tyre në mes të detit. 24 Aty nga agimi i mëngjesit ndodhi që Zoti i hodhi sytë në kampin e Egjiptasve nga kolona e zjarrit dhe nga reja, dhe i dha dërmën. 25 Ai bëri të shkëputen rotat e qerreve të tyre dhe e bëri të vështirë përparimin e tyre. Kështu Egjiptasit thanë: "T'ia mbathim para Izraelit, sepse Zoti lufton bashkë me ta kundër Egjiptasve". 26 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën tënde mbi detin, me qëllim që ujërat e tij të kthehen mbi Egjiptasit, mbi qerret dhe kalorësit e tyre". 27 Atëherë Moisiu shtriu dorën e tij mbi detin; kështu në të gdhirë, deti u kthye në vendin e tij të zakonshëm; Egjiptasit ikën para tij; dhe Zoti i përlau Egjiptasit në mes të detit. 28 Ujërat u kthyen dhe mbuluan qerret, kalorësit dhe tërë ushtrinë e Faraonit që kishin hyrë në det për të ndjekur Izraelitët; dhe nuk shpëtoi asnjë prej tyre.