Deuteronomy 32:15-23

Albanian(i) 15 Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij. 16 Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme. 17 U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën. 18 Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar. 19 Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij, 20 dhe tha: "Unë do t'u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri. 21 Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t'i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s'është në vete. 22 Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t'u vërë zjarrin themeleve të maleve. 23 Unë do të mblesh mbi ta mjerime, do t'i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre.