Daniel 11:28-35

Albanian(i) 28 Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij. 29 Në kohën e caktuar ai do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t'i vejë mbarë si herën e parë, 30 sepse anijet e Kitimit do të vijnë kundër tij; prandaj ai do të trembet, do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë. 31 Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm dhe do të bëjnë veprime të neveritshme që shkaktojnë shkretim. 32 Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes; por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë. 33 Ata që kanë dituri midis popullit do të udhëzojnë shumë të tjerë, por për një kohë të shkurtër do të bien nga shpata, nga zjarri, nga mërgimi dhe nga plaçkitja. 34 Kur do të rrëzohen, do t'u jepet pak ndihmë, por shumë njerëz do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë. 35 Disa nga ata që kanë dituri do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen dhe të zbardhen deri në kohën e mbarimit, sepse kjo do të ndodhë në kohën e caktuar.