2 Samuel 13:1-14

Albanian(i) 1 Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. 2 Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t'i bënte gjë. 3 Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak. 4 Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom". 5 Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"". 6 Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj". 7 Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t'i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë". 8 Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi. 9 Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t'i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë. 10 Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. 11 Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime". 12 Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë! 13 Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje". 14 Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të.