2 Kings 23:30-37

Albanian(i) 30 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan të vdekur mbi një qerre nga Meghido deri në Jeruzalem, ku e varrosën në varrin e tij. Pastaj populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, e vajosi dhe e bëri mbret në vend të atit të tij. 31 Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu. 32 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij. 33 Faraoni Neko e lidhi me zinxhira në Riblah, në vendin e Hamathit, që të mos mbretëronte më në Jeruzalem, dhe i imponoi vendit një haraç prej njëqind talentesh argjendi dhe një talent ari. 34 Pastaj Faraoni Neko bëri mbret Eliakimin, birin e Josias, në vend të atit të tij Josia, dhe e ndërroi emrin e tij në Jehojakimi. Pastaj mori Jehoahazin dhe shkoi në Egjipt, ku vdiq. 35 Jehojakimi i dha Faraonit argjendin dhe arin; por për të paguar paratë sipas urdhërit të Faraonit i vuri taksa vendit. Për të paguar Faraonin Neko, ai mblodhi argjendin dhe arin nga populli i vendit nga secili në bazë të vlerësimit të pronave të tij. 36 Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Zebidah, ishte bija e Pedaijahut të Rumahut. 37 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit në të gjitha ashtu si kishin vepruar etërit e tij.