2 Kings 10:6-11

Albanian(i) 6 Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, në të cilën thoshte: "Në rast se mbani anën time dhe doni t'i bindeni zërit tim, merrni kokat e atyre njerëzve, të bijve të zotit suaj dhe ejani tek unë në Jezreel, nesër në këtë orë". Bijtë e mbretit, gjithsej shtatëdhjetë, rrinin me fisnikët e qytetit, që i edukonin. 7 Me të marrë letrën, ata morën bijtë e mbretit dhe i therën të shtatëdhjetët; pastaj i vunë në shporta kokat e tyre dhe ia çuan Jehut në Jezreel. 8 Kështu erdhi një lajmëtar për t'i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "Kanë sjellë kokat e bijve të mbretit". Jehu u përgjigj: "Vendosini në dy grumbuj në hyrje të portës deri nesër në mëngjes". 9 Të nesërmen ai doli dhe, duke qëndruar në këmbë, i tha tërë popullit: "Ju jeni të drejtë; ja, unë kam komplotuar kundër zotërisë sime dhe e kam vrarë; po kush i ka vrarë tërë këta? 10 Pranoni, pra, që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e Zotit që ky ka shqiptuar kundër shtëpisë të Ashabit; Zoti në të vërtetë ka kryer atë që kishte thënë me anë të shërbëtorit të tij Elia". 11 Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre.