1 Kings 2:28-34

Albanian(i) 28 Ndërkaq lajmi i kishte vajtur Joabit, sepse Joabi kishte ndjekur Adonijahun por nuk kishte ndjekur Absalomin. Prandaj ai u strehua në tabernakullin e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit. 29 Pastaj i thanë mbretit Salomon: "Joabi është strehuar në tabernakullin e Zotit dhe ndodhet pranë altarit". Atëherë Salomoni dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, duke i thënë: "Shko, godite!". 30 Kështu Benajahu hyri në tabernakullin e Zotit dhe i tha Joabit: "Dil jashtë!". Ai u përgjigj: "Jo, dua të vdes këtu!". Benajahu ia njoftoi ngjarjen mbretit, duke thënë: "Kështu foli Joabi dhe kështu m'u përgjigj". 31 Atëherë mbreti tha: "Bëj ashtu si të ka thënë ai: godite dhe varrose; kështu do të largosh prej meje dhe prej shtëpisë së atit tim gjakun që Joabi derdhi pa shkak. 32 Kështu Zoti do të hedhë mbi kokën e tij gjakun që ka derdhur, duke goditur dy njerëzit më të mirë dhe më të drejtë se ai dhe që i vrau me shpatë, pa dijeninë e atit tim David; është fjala për Abnerin, birin e Nerit, komandant i ushtrisë së Izraelit, dhe për Amasan, birin e Jetherit, komandant i ushtrisë së Judës. 33 Gjaku i tyre do të bjerë mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij përjetë, por do të ketë paqe për gjithmonë nga ana e Zotit për Davidin, për pasardhësit e tij, për shtëpinë e tij dhe për fronin e tij". 34 Atëherë Benajahu, bir i Jehojadit, shkoi, e goditi dhe e vrau: dhe Joabi u varros në shtëpinë e tij, në shkretëtirë.