Psalms 22:15-26

Albanian(i) 15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes. 16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët. 17 Unë mund t'i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin. 18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time. 19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh. 20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit. 21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m'u përgjigje. 22 Unë do t'u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit. 23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai. 24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur. 25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t'i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti. 26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.