Acts 9:10-18

Albanian(i) 10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: ''Anania!''. Dhe ai u përgjigj: ''Ja ku jam, Zot!''. 11 Dhe Zoti i tha: ''Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet; 12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t'ia kthyer dritën e syve''. 13 Atëherë Anania u përgjigj: ''O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem. 14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd''. 15 Por Zoti i tha: ''Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit. 16 Sepse unë do t'i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim''. 17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: ''Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë''. 18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.