7 Ndaje, pra, këtë vend si trashëgimi midis nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit".
Joshua 13:7 Cross References - Albanian
Numbers 26:53-56
53 "Vendi do të ndahet midis tyre si trashëgimi, simbas numrit të personave.
54 Atyre që janë më të shumtë do t'u japësh në trashëgimi një pjesë më të madhe; atyre që janë në numër më të vogël do t'u japësh një pjesë më të vogël; secili do të marrë pjesën e tij në bazë të regjistrimit.
55 Por ndarja e vendit do të bëhet me short; ata do të marrin trashëgiminë e tyre në bazë të emrave të fiseve atërore.
56 Ndarja e trashëgimisë do të bëhet me short midis të gjitha fiseve të mëdha ose të vogla.
Numbers 32:2-14
2 bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë:
3 "Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni,
4 vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti".
5 Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin".
6 Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu?
7 Pse duhet të demoralizoni zemrat e bijve të Izraelit që të hyjnë në vendin që u ka dhënë Zoti?
8 Kështu vepruan etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barneu për ta vëzhguar vendin.
9 U ngjitën deri në luginën e Eshkolit; dhe, pasi e panë vendin, i demoralizuan zemrat e bijve të Izraelit, dhe kështu këta nuk hynë në vendin që Zoti u kishte dhënë.
10 Kështu zemërimi i Zotit u ndez atë ditë dhe ai u betua, duke thënë:
11 "Me siguri asnjë nga njerëzit, që kanë ardhur nga vendi i Egjiptit në moshën njëzet e një vjeç e lart nuk do ta shohë kurrë vendin që jam betuar t'u jap Abrahamit, Isaut dhe Jakobit, sepse ata nuk më kanë ndjekur plotësisht,
12 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufeut, i quajtur Kenizeu, dhe të Jozueut, birit të Nunit, sepse këta e kanë ndjekur plotësisht Zotin".
13 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit; dhe ai bëri të enden dyzet vjet në shkretëtirë, deri sa mbaroi gjithë brezi që kishte bërë të këqia para Zotit.
14 Dhe ja, ju po zini vendin e etërve tuaj, një farë mëkatarësh, për të rritur edhe më zemërimin e zjarrtë të Zotit kundër Izraelit.
Numbers 33:54
54 Do ta ndani me short vendin, simbas familjeve tuaja. Familjeve më të mëdha do t'u jepni një pjesë më të madhe, dhe më të voglave një pjesë më të vogël. Secili do të marrë atë që do t'i bjerë me short; ndarjet do të bëhen në bazë të fiseve të etërve tuaj.
Ezekiel 47:13-23
13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t'i takojnë dy pjesë.
14 Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t'ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t'ju përkasë si trashëgimi.
15 Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit deri sa të arrijnë në Tsedad,
16 Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin).
17 Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore.
18 Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore.
19 Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug.
20 Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore.
21 Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit.
22 Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit.
23 Në fisin ku i huaji banon, atje do t'i jepni pjesën e tij", thotë Zoti, Zoti.
Ezekiel 48:23-29
23 Për kusurin e fiseve, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Beniaminin.
24 Në kufirin e Beniaminit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Simeonin.
25 Në kufirin e Simeonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Isakarin.
26 Në kufirin e Isakarit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Zabulonin.
27 Në kufirin e Zabulonit, nga kufiri lindor në kufirin perëndimor: një pjesë për Gadin.
28 Në kufirin e Gadit, nga ana jugore në drejtim të jugut, kufiri do të shkojë nga Tamari në ujërat e Meribahut afër Kadeshit, dhe pastaj gjatë Detit të Madh.
29 Ky është vendi që do t'u ndani me short në trashëgimi fiseve të Izraelit, dhe këto janë pjesët", thotë Zoti, Zoti.