Numbers 32:2-14

Albanian(i) 2 bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë: 3 "Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni, 4 vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti". 5 Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin". 6 Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu? 7 Pse duhet të demoralizoni zemrat e bijve të Izraelit që të hyjnë në vendin që u ka dhënë Zoti? 8 Kështu vepruan etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barneu për ta vëzhguar vendin. 9 U ngjitën deri në luginën e Eshkolit; dhe, pasi e panë vendin, i demoralizuan zemrat e bijve të Izraelit, dhe kështu këta nuk hynë në vendin që Zoti u kishte dhënë. 10 Kështu zemërimi i Zotit u ndez atë ditë dhe ai u betua, duke thënë: 11 "Me siguri asnjë nga njerëzit, që kanë ardhur nga vendi i Egjiptit në moshën njëzet e një vjeç e lart nuk do ta shohë kurrë vendin që jam betuar t'u jap Abrahamit, Isaut dhe Jakobit, sepse ata nuk më kanë ndjekur plotësisht, 12 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufeut, i quajtur Kenizeu, dhe të Jozueut, birit të Nunit, sepse këta e kanë ndjekur plotësisht Zotin". 13 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit; dhe ai bëri të enden dyzet vjet në shkretëtirë, deri sa mbaroi gjithë brezi që kishte bërë të këqia para Zotit. 14 Dhe ja, ju po zini vendin e etërve tuaj, një farë mëkatarësh, për të rritur edhe më zemërimin e zjarrtë të Zotit kundër Izraelit.