Proverbs 4:10-23

Albanian(i) 10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen. 11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë. 12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh. 13 Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote. 14 Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij; 15 evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje. 16 Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë; 17 ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës. 18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë. 19 Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë. 20 Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia; 21 mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; 22 sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre. 23 Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.