Numbers 13:2-26

Albanian(i) 2 "Dërgo njerëz të kqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre". 3 Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, simbas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit. 4 Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit; 5 Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit; 6 Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës; 7 Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit; 8 Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit; 9 Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit; 10 Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit; 11 Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit; 12 Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit; 13 Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit; 14 Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit; 15 Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit. 16 Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin e Jozueut. 17 Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore, 18 për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë; 19 si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara; 20 dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi. 21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit. 22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt). 23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq. 24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty. 25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit, 26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.